U izolua në regjimin 41 bis/ Kush është Sokol Mjacaj, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë

schedule13:36 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 13:36 - 15 Dhjetor, 2023

Ministri i Drejtësisë, Uli Manja firmosi për të vendosur në regjimin e posaçëm, i njohur si 41 bis, të dënuarin Sokol Mjacaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”.

Sokol Mjaçaj është dënuar nga gjykata si autor i vrasjes së dy turistëve çekë, Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe me qëllim grabitjen e mjetit të tyre fuoristradë. Ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit 2015, në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.

Si ndodhi krimi

Më datë 3 korrik 2015, Sokol Mjaçaj me banim në fshatin Lotaj, ka vendosur të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë makinë me turistë në zonën e Dukagjinit. Me vete ka marrë automatikun dhe dy karikatorë që i mbante në shtëpi, i ka futur në një çantë sportive.

Aty ka kaluar mjeti tip Nissan Patrol, ngjyrë gri, me targë Çeke CZ 4P89798, me udhëtarë viktimat Michal Svatos dhe Anna Kosinova. Mjacaj i ka përshëndetur shtetasit në fjalë, e më pas iu ka kërkuar (duke komunikuar me shenja) që ta merrnin në makinë por, drejtuesi i mjetit i ka bërë shenjë se nuk kishte vend dhe nuk e ka marrë, duke tentuar të vazhdojë lëvizjen me makinë. Po ai ka mundur të hyjë më forcë.

Kjo e ka nervozuar viktimën Michal Svatos, i cili e ka zbritur nga mjeti të pandehurin. Në këtë moment, i pandehuri Sokol Mjaçaj ka nxjerrë automatikun nga çanta dhe ka qëlluar në ajër disa herë, duke e detyruar viktimën ta ndalojë mjetin. Pasi ka hyrë në mjet, i pandehuri është ulur pas pasagjerit dhe shoferit, duke mbajtur automatikun e mbushur, me fishekë në fole, në drejtim të dy viktimave. Po ashtu, në momentin që ka hipur në mjet, iu ka marrë këtyre shtetasve aparatet celularë, në mënyrë që ata mos kishin mundësi të lajmëronin rreth këtij fakti, duke planifikuar që t’i grabiste sapo të afrohej në zonën e quajtur “Ura e Shtrenjtë”, pasi nga kjo zonë mund të largohej më lehtësisht në drejtime të ndryshme. Rreth mbrëmjes, në momentin që mjeti është afruar afër zonës së quajtur “Ura e Shtrenjtë”, Michal Svatos ka bërë disa manovrime me mjet.

Për këtë arsye, Mjacaj, duke menduar se viktima Michal Svatos, me këto veprime ka dashur t’i marrë automatikun, e ka qëlluar këtë shtetas dy herë me armë zjarri e më pas ka qëlluar një herë pasagjeren Anna Kosinova, duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes së dy shtetasve në fjalë, i pandehuri ka dalë nga xhami i dritares së mjetit, i cili ishte përmbysur në njërën anë, në mes të rrugës, duke lënë brenda në mjet automatikun që i kishte rënë nga dora në momentin e përmbysjes së mjetit dhe ka lëvizur në këmbë në drejtim të kundërt me të.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!