Përdorimi i agjentëve kimikë për të eliminuar kritikët e Kremlinit është kthyer në një shqetësim serioz për faktorin ndërkombëtar. Pas rastit të spiunit Sergei Skripal dhe së bijës, objekt i një sulmi të ngjashëm ka qenë një aktivist rus i cili po mjekohet në Gjermani.
Pioter Verzilov, një aktivist i njohur rus që u helmua dy javë më parë teksa ecte në rrugët e Moskës, ka akuzuar shërbimet sekrete ruse se fshihen pas sulmit ndaj tij. Verzilov, i cili është gjithashtu botues i një portali lajmesh kritike kundër Kremlinit, aktualisht po kurohet në një spital të Gjermanisë, ku është marrë në mbrojtje nga policia vendase.
“Unë jam i bindur se prapa helmimit tim fshihen shërbimet sekrete ruse, ndoshta njësia GRU”, ka deklaruar Verzilov për gazetën gjermane “Bild”. Pak momente pas sulmit me agjent kimik, aktivisti humbi shikimin, dëgjimin dhe aftësitë fizike.
Mjekët në spitalin gjerman nuk kanë gjetur gjurmë helmi në trupin e tij, por duke parë simptomat e treguara janë të bindur se veç helmimit nuk ka shpjegim tjetër. Verzilov është i bindur se shërbimet sekrete kanë përdorur një miks të ri helmesh, të cilin e kanë testuar ndaj tij.
“Profesionalizmi me të cilën u krye sulmi nuk lë vend për hipoteza të tjera vec atyre të shërbimeve sekrete”, ka vijuar Verzilov. Aktivisti është një personazh i njohur edhe për afërsinë me anëtaret e grupit Pusi Rajot, i njohur për këngët kundër presidentit Vladimir Putin. Gjithashtu, ai tërhoqi vëmendjen me hyrjen pa leje në fushën e lojës në finalen e Botërorit Rusi 2018. Por kjo ngjarje sipas tij nuk është shkaku real i helmimit.
“Do të investigoja vrasjen e 3 gazetarëve rusë në Republikën e Afrikës Qendrore dhe mendoj se kjo ka qenë arsyeja përse donin të më helmonin”, ka vijuar Verzilov. Ai ka shtuar se gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet dhe ka shprehur dëshirën të kthehet në Rusi sapo të lërë spitalin. /abcnews.al