Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Bulqizë, ku një biznesmen kromi është gjetur i plagosur në kanal, por më pas ndërroi jetë.
Burimet paraprake bëjnë me dije se biznesmeni i kromit Murat Duriçi 53-vjeç është gjetur në një kanal nga kalimtarë të rastit mes qytetit të ri dhe të vjetrit. Paraprakisht dyshohet se Duriçi është përplasur nga një furgon, por ende ngjarja është e mbuluar nga misteri.
Duriçi në momentin që është gjetur nga kalimtarët ka qenë me shenja jete, por rrugës për në spital në Tiranë ka ndërruar jetë. 53-vjeçari Duriçi ishte një biznesmen i fuqishëm në Bulqizë, dhe lëvizte rrallë në këmbë.
Pasi lajmi u publikua në media, policia doli në deklaratë duke thënë se bëhet fjalë për një aksident rrugor.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21.00, në qytetin e ri të Bulqizës, shtetasi M.C, 45 vjeç, banues në Bulqizë, duke drejtuar automjetin tip ‘ford’, ka përplasur këmbësorin M. D., ku si pasojë ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit pas aksidentit ka braktisur automjetin duke u larguar nga vendi i ngjarjes, ku pas kërkimeve nga ana e policisë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i tij në komisariat.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
/abcnews.al

