MEMALIAJ- Policia ka arrestuar dy persona, babë e bir, në lidhje me ngjarjen në Memaliaj ku 72-vjeçar Fait Ajdini u gjet i vdekur në përrua në fshatin Zhapokikë. Sipas policisë, njëri nga të arrestuarit është bashkëpunëtor në kryerjen e vrasjes, ndërsa djali i tij ka përkrahur autorin e krimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për vënien në pranga të autorit tjetër të vrasjes, i cili u identifikua që dje nga Policia, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij.
Sakaq, dyshohet se 71-vjeçari i arrestuar ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.