U ekzekutua me 15 plumba, viktimës tre vite më parë iu zhduk kushëriri sapo erdhi nga Belgjika

schedule23:05 - 21 Maj, 2021

schedule 23:05 - 21 Maj, 2021

Delion Troqe ishte viktima e radhës në Vlorë. 38-vjeçari u ekzekutua mbrëmjen e sotme përpara servisit të tij në qytetin bregdetar rreth orës 21:40 minuta, ndërsa autorët dogjën makinën në Sherishtë dhe u zhdukën duke humbur gjurmët në errësirë.

Për momentin janë 10 të shoqëruarit, disa prej të cilëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes. ABC mësoi se 38-vjeçari pronar i servisit, sapo ishte kthyer nga Spanja dhe gjatë verës punonte me skaf me turistët në rivierën bregdetare të Jugut të vendit. Disa vite më parë ai ishte dënuar për drogë.

ABC mëson se viktima e atentatit të sotëm është kushëriri i Ervis Troqes, i cili u zhduk në vitin 2018 në mes të ditës në Vlorë dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Ervis Troqe humbi gjurmët në korrik të para 3 viteve, ndërsa një muaj më parë ishte zhdukur Albano Xhaferri i njohur me pseudonimin “Ciqja”, të dy sapo ishin kthyer nga Belgjika.

Nga policia kishte dyshime se Edison Harizaj, i cili u vra në nëntor të vitit 2018 ishte i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!