Ish-kryetari i PD-së në njësinë administrative të Dajçit, Sokol Toma, vijon të qëndrojnë i shtruar në spitalin e Traumës pas dhunës së ushtruar ndaj ditë dy ditë më parë.
Toma u dhunua mbrëmjen e së shtunës nga 3 persona ende të paidentikuar, ndërsa udhëtonte me makinën e tij nga Tirana për në Lezhë, ku tre persona e kanë ndaluar në afërsi të zonës së quajtur Fushë Gjormë dhe e kanë dhunuar.
Vetë Toma është marrë disa herë në pyetje nga grupi hetimor, por thotë se nuk ka konflikte me njeri. Sa i përket autorëve, ai thotë se ata udhëtonin me një makinë të bardhë me targa të huaja, të cilët kanë goditur nga pas mjetin me të cilin ai udhëtonte dhe më pas kanë zbritur dhe e kanë dhunuar. Por burime nga grupi hetimor thonë se makina e tij nuk ka shenja të goditjes, sic pretendon Toma.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe nuk përjashton konflikte të cilat mund të mos jenë raportuar më parë nga 53-vjeçari. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në aksin Tiranë–Laç për të zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur.


