Një zë që magjepsi skenat më prestigjioze, një artist që refuzoi lavdinë jashtë vendit për t’u kthyer në Shqipëri, por që më pas u përball me burgun, persekutimin dhe harresën.
Në 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor rikthen në kujtesë figurën e jashtëzakonshme të Lukë Kaçajt, bas-baritonit që kritikët e kohës e cilësuan si “Shaljapini shqiptar”.
I bekuar me një zë të rrallë dhe një talent të jashtëzakonshëm artistik, Lukë Kaçaj studioi në Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë, ndërsa në vitin 1955 arriti një sukses të jashtëzakonshëm në konkursin e famshëm të Teatrit “Balshoj”, duke u renditur mes katër fituesve nga 170 këngëtarë pjesëmarrës. Ishin vite kur dyert e botës po hapeshin për të. Atij iu ofrua mundësia të qëndronte jashtë Shqipërisë dhe të ndërtonte një karrierë ndërkombëtare, por Lukë Kaçaj zgjodhi të kthehej në atdhe.
Në Shqipëri u emërua solist i Teatrit të Operës dhe Baletit, duke interpretuar role që mbeten edhe sot gurë themeli të artit lirik shqiptar. Don Bazilio te “Berberi i Seviljes”, Gjini te opera “Mrika”, Sparafucile te “Rigoleto”, Bozoni te “Madame Butterfly” apo Aleko te opera me të njëjtin emër janë vetëm disa nga personazhet që ai solli me mjeshtëri në skenë.
Në moshën 36-vjeçare u nderua me titullin “Artist i Merituar”, ndërsa publiku e konsideronte një nga zërat më të mëdhenj që kishte njohur Shqipëria.
Por lavdia nuk do të zgjaste.
Në vitin 1966 i ndalohet e drejta për të interpretuar në skenë. Ishte paralajmërimi i një tragjedie që po afrohej. Më 28 prill 1973, Sigurimi i Shtetit e arrestoi publikisht në hollin e Institutit të Arteve, para studentëve dhe kolegëve të tij. Vetëm pak muaj më vonë, Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me pesë vite burg. Artisti që kishte prekur skenat më të rëndësishme të kohës, u gjend pas hekurave.
Shëndeti iu përkeqësua ndjeshëm gjatë vuajtjes së dënimit. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Ana përballej me sakrifica të jashtëzakonshme për të mbijetuar. Ajo dhuronte gjak për të siguruar të ardhura dhe për të ndihmuar familjen gjatë kohës që Lukë Kaçaj ndodhej në burg. Pas lirimit në vitin 1978, nuk iu lejua më të rikthehej në artin që e kishte bërë të pavdekshëm. Deri në penion, ai punoi si hamall në magazinat e fruta-perimeve.
Një fund i dhimbshëm për një artist me përmasa botërore. Megjithatë, as burgimi, as heshtja e imponuar dhe as vitet e vështira nuk mundën të fshijnë trashëgiminë e tij artistike.
Sot, një shekull pas lindjes së tij, zëri i Lukë Kaçajt vazhdon të jehojë si simbol i talentit, dinjitetit dhe sakrificës. Një artist që mund të kishte pushtuar skenat më të mëdha të botës, por që zgjodhi Shqipërinë dhe pagoi një çmim të rëndë për këtë zgjedhje. Koncerti homazh që zhvillohet sonte në TKOBAP është një rikthim në kujtesë jo vetëm i artistit të madh, por edhe i njeriut që jetoi mes lavdisë dhe persekutimit, duke lënë pas një histori që vazhdon të prekë breza të tërë./abcnews.al



