U demaskua nga “Piranjat” si pedofil, Prizren mbushet me grafite pas arrestimit të ish-mësuesit

schedule09:51 - 29 Prill, 2022

schedule 09:51 - 29 Prill, 2022

Policia e Kosovës ka arrestuar Fazli Kikajn, 76-vjeçarin nga Prizreni, i cili u demaskua pak ditë më parë nga emisioni “Piranjat” në ABC si pedofil. Kaq ka mjaftuar që një reagim i fortë të vijë nga qyetarët e Prizrenit të cilët kanë mbushur muret me grafite kundër pedofilisë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist që qëndron mbrapa këtyre grafiteve, thotë se lajmet e fundit që zbulojnë një mësimdhënës pedofil, përveç tronditëse, po tregojnë çdo herë që dhuna ndaj vajzave e grave është duke ndodhur kudo e kurdo.

“Ky rast, sikundër rastet tjera të abuzimeve seksuale ndaj vajzave e grave janë alarm për sigurinë e tyre. Ky nuk është veç rast i pedofilisë por dhunë sistematike ndaj vajzave e grave që sillet rreth seksualizimit të trupit femëror. Ky është krim. Krim i cili nuk është i izoluar por paraqet rrezik të vazhdueshëm për secilën vajzë e grua në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Grafitet e shkruara në mure shkollash e hapësira tjera publike në Prizren, Kolektivi thotë se shprehin revoltën ndaj cenueshmërisë së vajzave dhe grave dhe kulturës së amnistimit të dhunës me bazë gjinore.

“Dhuna ndaj vajzave e grave në shkolla, familje, punë e rrugë nuk është incident periferik, është sinjal i një sistemi të kalbur i cili mbahet përmes dhunës së gjinizuar. Nga Prizreni ne thërrasim për reagim kolektiv ndaj dhunës me bazë gjinore, ndëshkim për kriminelët e solidaritet me të gjitha vajzat e gratë. Nga këtu ne insistojmë se siguria e liria e asnjërës prej nesh nuk ka kuptim pa lirinë e gjithësecilës prej nesh”, përfundon njoftimi.

Në puntatën e parë të emisionit, “Piranjat” demaskuan ish-mësuesin Fazli Kikaj, i cili i kërkoi marrëdhënie seksuale një vajze të mitur nga Shqipëria në rrjete sociale pavarësisht se ajo i tha disa herë se ishte vetëm 15 vjeç.

Më pas, “Piranjat” inskenuan një udhëtim me klasën të vajzës 15-vjeçare të quajtur “Kejsi” për në Prizren, e cila në fakt ishte gazetarja e emisionit, ku edhe u takua me Fazli Kikën, i cili më parë i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale duke i dërguar vazhdimisht video me përmbajtje pornografike si edhe foto të organit të tij gjenital. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!