AMP dhe prokuroria kanë reaguar në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Kurti u shoqërua në polici ku edhe ndërroi jetë. Sipas prokurorisë dhe AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit.
Sipas autoriteteve, patrulla e policisë i ka kërkuar Kurtit që të japë një mjet identifikimi, por ai ka vrapuar duke u larguar 200 metra më tej ku edhe është kapur. Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës. Policia këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit edhe pse në duart e tij ka shenja, të cilat AMP thotë se i janë shkaktuar në momentin e prangosjes.
Reagimi
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se:
Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.
Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.
Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.
Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.
Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.
Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.
Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç.