U burgos kur ishte vetëm 2 vjeç. 4 vitet pasardhëse i kaloi në birucat e burgut të Nikshiqit në Malin e Zi së bashku me vëllanë binjak Nerimin dhe nënën e tyre Baden. Historia e familjes Thaçi është derdhur në fletët e një libri me emrin Skendër Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
‘’Unë kam qenë i burgosur me vëllain tim të ndjerë Nerimin dhe nënën time kur u zhduk babai. Si fëmijë kam qëndruar 4 vjet në burg. Ka qenë një tmerr. Edhe bukën na e hidhnin si kafshëve, sa për të mbijetuar.”, rrëfen Skënderi.
Në periudhën që Skënderi ishte duke jetuar fëmijërinë në burg, një tjetër ngjarje do të shënjonte jetën e tyre. “Në burg ka lindur vajza e xhaxhait tim. Ka lindur në birucë dhe nëna ime ia vuri emrin ‘Burge’. Sot ajo është gjyshe dhe jeton në Nikël të Krujës. Ende mban të njëjtin emër.”, tregon Skënderi.
Pas viteve të zymta të një vogëlushi të burgosur Skënderi me të vëllanë dhe nënë Baden rifillojnë jetën nga e para, fillimisht në Mal të Zi, më pas në Kosovë e më vonë në Shqipëri. Kalvari i vuajtjeve të Skënderit nuk kishte mbaruar. Ai ende përndiqej. Madje edhe vite më vonë në 1996, kur nëna Bade i mbylli sytë përgjithmonë, varrimin e saj atij iu desh ta ndiqte në fshehtësi.
“Kur vdiq nëna kam kaluar ilegalisht nga Shqipëria në Mal të zi. Kam mbërritur atje në 3 të natës dhe kam ndjekur varrimin në fshehtësi, nga frika mos më burgosnin. Ka qenë e tmerrshme. Ajo na edukoi me dashuri e jo me frymën e urrejtjes. Dashuria për njerëzit e afërt që kishim në Shqipëri lidhej vetëm përmes gojës së nënës Bade. Këshillat e saj kanë qenë të shumta, por një s’ja harroj kurrë: “ Veç me politikë mos u merr, se unë kam ngelur pa burrë, e ti pa babë!”. Këtë këshillë ia kam mbajtur e nuk e harroj kurrë.”, shprehet Skënderi.
Skënder Thaci, është i biri i Imer Thaçit, një ushtaraku i cili dilte hapur si atdhetar nacionalist. Ky ishte edhe shkaku i vetëm që të ishte në shënjestrën e agjenturave të huaja. UDB-ja praktikonte metodën e dënimit kolektiv. Sot, Skënder Thaçi njihet si një humanist që i ka qëndruar pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në vitet e tyre më të vështira.
“Jam përpjekur t’ju qëndroj sa më pranë shqiptarëve dhe po të njëjtën dashuri kam marrë dhe nga ata. Jam dekoruar dy herë nga dy president Ilir Meta dhe Alfred Moisiu dhe jam qytetar nderi në shumë komunë. Mendoj që amanetet e nënë Bades dhe babës Imer kanë shkuar në vend. U arrit qëllimi i atyre atdhetarëve që e deshën shumë Shqipërinë, por nuk ia dolën kësaj dite.” , përmbyll rrëfimin mes emocionesh Skënderi.
/abcnews.al