U bashkua me ISIS në moshën 15-vjeçare, britanikja humbet apelin kundër heqjes së shtetësisë

schedule15:29 - 23 Shkurt, 2024

schedule 15:29 - 23 Shkurt, 2024

Një britanike që ishte larguar nga vendi në moshën 15-vjeçare për t’u bashkuar me militantët e ISIS në Siri, ka humbur sot apelin kundër heqjes së shtetësisë britanike.

Shamima Begum u largua drejt Sirisë në kohën e luftës në 2015 bashkë me dy shoqe të saj që u martuan me luftëtarë dhe jetuan për disa vjet në Raka, në veri të vendit.

Më pas Begum ishte shfaqur në kampin e refugjatëve në al-Hawl, në 2019 ku dha disa intervista për mediat ndërkombëtare duke marrë dhe pseudonimin “nusja e ISIS”, teksa i lutej qeverisë britanike ta pranonin në vend bashkë me të birin.

Por ish-ministri i brendshëm Sajid Javid i kishte hequr shtetesinë prej aktivitetit të saj me militantët e etiketuar si ‘terroristë’. Begum thotë se përveç djalit të saj dy fëmijë të tjerë që ka lindur kanë humbur jetën në moshë të vogël.

Duke argumentuar vendimin e sotëm gjykatësja Baroness Carr tha sipas rrjetit PA Media: “Vendimi për zonjushën Begum ishte i vështirë por mund të argumentohet se është vetë autore e fatkeqësisë së saj”.

Verdikti nuk i jep fund detyrimisht betejës ligjore të Begum për të rifituar shtetësinë e saj, teksa avokati Alexander dos Santos, tha për rrjetin Sky News se ka dhe disa mundësi që avokatët e saj të apelojnë përsëri.

Ai theksoi se në këtë rast Begum mbetet “pa shtetësi”, për çka avokatët mund të ankohen se nuk kanë llogaritur pasojat.

Begum u bë e famshme në një dokumentar të kontestuar të rrjetit BBC mbi rrugëtimin e saj dhe jetesën mes luftës e terroristëve e me pas ne kampin e refugjateve, që u ndoq nga një seri transmetimesh, ku Shamima Begum argumentonte se “nuk ishte një personi keq”, edhe pse publiku e konsideronte “një rrezik”.

Këtë të fundit ajo ia atribuonte portretizimit të mediave të mëdha.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!