“Çipuri”, dy muaj në burg/ Ish-anëtari i bandës së Gaxhait u arrestua të enjten në Durrës

schedule13:10 - 24 Shkurt, 2024

schedule 13:10 - 24 Shkurt, 2024

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për dy muaj për Armando Sulejmanin, i njohur me nofkën “Çipuri” dhe si ish-anëtar i bandës së Gaxhait.

Gjykata tha se arrestimi I tij nga policia e Durrësit është i ligjshmëm dhe vlerësoi se dy muaj janë mjaftueshme për prokurorinë për të dokumentuar akuzën e ngritur ndaj tij për vjedhje automjeti.

Para togave të zeza “Çipuri” ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje kriminale duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me vjedhjen e makinës “Range Rover” në nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam asnjë lidhje me vjedhjen e makinës “Range Rover” në Tiranë. Makina me të cilën udhëtoja i përket një mikut tim. Nuk kisha dijeni se në bagazh ndodheshin targa të tjera”

48-vjeçari i njohur me nofkën “Çipuri” më datë 22 shkurt po lëvizte pranë Komisariatit numër 4 me një automjet tip Benz, me targa që rezultojnë te vjedhura nëntorin e vitit te shkuar në Tiranë.

Pasi u ndalua “Çipurit” i janë gjetur ne makine targat origjinale të mjetit se bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Në kërkim është shpallur Lorenc Zeneli pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari me te cilin dyshohet se ka vjedhur targat.

Policia e Durrësit tha se makina me të cilën lëvizte “Çipuri” mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale në zonën e Durrësit por objektivi ende nuk dihet.

Armando Suljemani është person me precedent të theksuar kriminal. Në vitin 2002 ai u dënua me 20 vite burg duke u akuzuar për vrasje, por edhe për pjesëmarrje në bandën e Gaxhait.

Po ashtu dyshohet se 48-vjeçari ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Ferdinand Llanajt dhe Inez Hajrullas. Për këtë të fundit, në vitin 2019, mes katër personave të arrestuar me vendim të gjykatës së Vlorës ishte edhe Daut Elmazi, që sipas burimeve të policisë është nipi i Armando Sulejmanit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!