U arrestua sapo u kthye nga Anglia për lidhjet me Habilajt, jepet masa e sigurisë për Sokol Boden

schedule10:50 - 13 Gusht, 2022

schedule 10:50 - 13 Gusht, 2022

Sokol Bode, ish-shefi i Postës së Dhërmiut, i arrestuar më 11 gusht në Berat, pas 5 vitesh arrati ka dalë mëngjesin e kësaj së shtune (13 gusht) përpara Gjykatës së Posaçme  për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” si dhe  dënimin e dhënë në mungesë ndaj tij, nga shkalla e parë.

Pas dhënies së gjeneraliteteve përpara gjyqtares së posaçme Atalanta Zeqiri, kjo e fundit ka vendosur ndaj ish shefit të Dhërmiut vazhdimin masës së sigurimit “arrest me burg”.

Ai u arrestua në Berat mbrëmjen e 11 gushtit e më pas u transportua për në Tiranë.

Bode në prill u dënua me 8 vite heqje lirie për trafik të lëndëve narkotike e grup kriminal.

Kush është Sokol Bode?

Ai ishte dënuar me 8 vjet burg, pasi akuzohet nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi, ka qenë prej kohësh në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt, (ky i fundit i arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge).

Lexo edhe: “Mos qaj se kjo dihej”, arrestimi i Sokol Bodes për lidhjet me Habilajt, kur mbërriti policia kërkoi vetëm 2 minuta të takohej me familjen

Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Akuza që qëndron mbi këta zyrtarë është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sattivës në këtë qark.

Në 3 shkurt 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,  si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Në 10 korrik 2019, gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila pasi nuk ishin gjetur, ndërsa ndau çështjen e tyre nga çështja nga Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish ministrin Tahiri.

/Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!