U arratis nga kopshti zoologjik në Këln, Panda kapet pas tre orësh kërkime 

schedule16:49 - 23 Janar, 2024

schedule 16:49 - 23 Janar, 2024

Panda e kuqe nëntëvjeçare Fred u arratis nga kafazi i tij në një kopsht zoologjik në qytetin gjerman të Këlnit, ndoshta duke u ngjitur mbi degë bambuje të përkulura nën dëborë.

“Për shkak të reshjeve jashtëzakonisht të mëdha të borës, degët e bambusë u përkulën. Fred ndoshta i përdori ato për t’u ngjitur në pemët në afërsi,” tha zëdhënësi i kopshtit zoologjik Christoph Schutte për Bild.

Rojet e gjetën në një pemë pranë kafazit dhe duke qenë se nuk shfaqi dëshirë të kthehej në shtëpi, u thirrën në ndihmë zjarrfikësit.

Ata sollën një shkallë lëvizëse të gjatë. Kur njëri prej zjarrfikësve iu ngjit, Fredi vrapoi nga pema në tokë ku e kapën rojet dhe pas një operacioni shpëtimi prej tre orësh, më në fund u kthye në ambientet e tij.

Fredi nuk u emocionua dhe e tregoi këtë me një “gërhitje të lehtë”. Ai u prit në kafaz nga partnerja e tij, panda Mila.

Një zëdhënës i kopshtit zoologjik tha se panda nuk ka marrë asnjë lëndim gjatë kohës së arratisjes.

Fredi është në të vërtetë anglez. Ai lindi në kopshtin zoologjik në Cotswolds në vitin 2014, dhe erdhi në Këln në vitin 2015 dhe është një nga kafshët më të njohura atje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!