U akuzua nga Luftëtari, te Laçi sqarojnë çështjen “Donald Rapo”

schedule17:10 - 10 Janar, 2020

schedule 17:10 - 10 Janar, 2020

Luftëtari akuzoi Laçin për “vjedhjen” e kapitenit Donald Rapo. Presidenti i klubi gjirokastrit, Bekim Halilaj, deklaronte në “Panorama Sport” se drejtuesit kurbinas e kishin mashtruar mesfushorin dhe i kishin premtuar që do e zgjidhnin ata çështjen e kontratës. Klubi bardhezi ka dalë me një qëndrim në lidhje me situatën e krijuar dhe thekson se nuk ka asnjë marrëveshje me lojtarin në fjalë dhe se po stërvitet me ta vetëm për të ruajtur formën sportive.

“Klubi Futbollit Laçi, nisur nga një deklaratë e sotme e presidentit të Luftëtarit, Bekim Halilaj, reagon dhe sqaron opinionin publik mbi çështjen “Donald Rapo”. Së pari, lojtari në fjalë nuk ka asnjë marrëveshje me Klubin e Futbollit Laçi. Është e vërtetë që ai prej disa ditësh ka kërkuar te stërvitet me ekipin tonë, por nuk ka nënshkruar asnjë kontratë me ne.

Klubi Futbollit Laçi ka treguar ndër vite që jo vetëm është korrekt ndaj futbollistëve, Federatës dhe shtetit, por edhe karshi rivalëve. Donald Rapo ka gjetur dashamirësinë tonë dhe po stërvitet që të mos mbetet prapa me përgatitjet.

Personit të ashtuquajtur president i bëjmë me dije se një person që e quan veten president klubi, minimalisht duhet t’i përgjigjet punonjësve te tij me zbatimin e përpiktë te kontratës , pasi në të kundërtën do të ishte në një rang me ta dhe jo eprori i tyre.

Luftëtari dhe çdo klub tjetër minimalisht duhet të respektojnë kushtet kontraktuale me çdo futbollist. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo është një shkelje dhe një garë e pabarabartë që FSHF dhe organet e saj duhet të kujdesen që kjo të mos ndodhë.

Në dijeninë tonë trajneri kurrë nuk e ka shprehur në asnjë lloj kronike apo interviste zyrtarizimin e kësaj marrëveshje, duke qenë se kjo gjë nuk i është konfirmuar nga asnjeri prej drejtuesve të klubit tonë, madje dhe pas ndeshjes miqësore me Apoloninë ka shprehur në intervistën e dhënë drejt gazetarit vetëm rikthimin e lojtarit tonë , Irlian Ceka”, shkruhet në reagimin e klubit të Laçit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!