Gëzim Gjyrdyku, 50-vjeçari i cili u aksidentua për vdekje në Fier është baba i tre fëmijëve. Burime bëjnë me dije për ABC se ai punonte si roje në një subjekt privat dhe në momentin kur ndodhi ngjarja po kthehej nga puna për në shtëpi.
Familjarët ishin vënë në kërkim të tij përgjatë gjithë orëve të natës dhe vetëm në mëngjes kanë arritur të konstatojnë trupin e tij në anë të autostradës në një kanal. Pranë trupit të tij është gjetur edhe një pjesëz që ka mbetur nga automjeti që dyshohet se e ka përplasur.
Policia është vënë në ndjekje të shoferit të automjetit. Janë marrë kamerat e sigurisë nga bizneset në zonë. Ndërkohë banorë të zonët kanë deklaruar se ky segment rrugor paraqitet mjaft i rrezikshëm për shkak se mungojnë barrierat mbrojtëse, mbikalimet dhe nënkalimet./mv.abcnews.al

