Në këtë periudhë Tushemishti, një fshat vetëm pak km larg qytetit të Pogradecit është populluar nga pushues vendas dhe të huaj. Por ajo çfarë e bën të veçantë këtë zonë, janë banorët që investohen për t’i pritur vizitorët vetëm me produkte bio.
Është ndoshta fshati më i populluar jo vetëm me stinën e verës. 5 km larg qytetit të Pogradecit, Tushemishti ofron një pamje te bukur për të gjithë vizitorët.
Shumë afër liqenit, në brendësi gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), kisha e Shën Pandelimonit. Vendasit thonë se shtëpia e Teto Ollgës bashkë me bustin e ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi është më e vizItuar.
Po këtu nuk është vetëm histori e kujtesë. Banorët të presin me gatime tradicionale dhe produktet bio. Amvisat tregojnë sa preferohet trahanaja, uthulla e mollës, reçelrat dhe gjithçka ata dinë ta bëjnë më mirë se tjetër kund.
“Shesim sipas stinës, prodhimet që prodhojmë vetë, lajthi, trahana, liker, gliko”.
“Ky është reçel trëndafili nga ia qëmotshmi që kishte aromë jo nga ky artificiali”.
Korriku dhe Gushti janë muajt me më shumë turistë. Çmimet modeste joshin vendas dhe të huaj.
“Na pëlqen ambienti dhe busiti i Ollgës, disa herë që kemi ardhur”.
“Vijnë dhe turistë të huaj që chekojnë në booking”.
Kurse restorantet konkurojnë me njëri tjetrin për kush e gatuan më mirë belushkën, koranin, apo tavën e peshkut
“Shërbehen më shumë gjëra tradicionale si lakror, qofte fshati, tava peshku”.
“Është i paktë sezoni veror se nuk është klima si në bregdet”.
Tushemishti dikur nga vendet e preferuara për pushime të Mbretit Zog dhe Enver Hoxhës, sot për të gjithë ofron mundësi për çlodhje dhe argëtim. /ABC News Albania 24/7