Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nënshkroi një dekret për vendosjen e një takse 30% për mallrat që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe 60% nga vendet e tjera, përfshirë Kinën. Vendimi i tij tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Turqisë.
Më parë, taksa ishte 18% për produktet nga BE-ja dhe 30% nëse vinin nga vendet e tjera, ndërsa me të njëjtin vendim, kufiri pa doganë për blerjet ndërkombëtare me dërgesë të shpejtë u ul nga 150 në 30 euro.
“Produktet do të taksohen me 30% nëse vijnë direkt nga vendet e Bashkimit Europian dhe me 60% nëse vijnë nga vende të tjera.
Në rastin e mallrave të përfshira në listën (IV) bashkëlidhur ligjit të posaçëm të akcizës nr. 4760, datë 6.6.2002, vendoset një taksë një herë në masën 20% krahas normave të mësipërme”, thuhet në dekretin e publikuar.
Vlen të theksohet se nëse pesha e mallrave të blera tejkalon 30 kg, ato i nënshtrohen legjislacionit të tregtisë doganore. Gjatë llogaritjes së mallrave mbi 30 kg, aplikohet edhe një taksë shtesë prej 48%.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas 15 ditësh./abcnews.al