Turqia paralajmëron Suedinë të ekstradojë terroristët nëse dëshiron të anëtarësohet në NATO

schedule13:36 - 18 Gusht, 2022

schedule 13:36 - 18 Gusht, 2022

Suedia duhet të ekstradojë terroristët nëse dëshiron të bashkohet me NATO-n, tha në një deklaratë sot ministri turk i drejtësisë.

“Nëse ata mendojnë se do të mund ta bëjnë Turqinë të besojë se i mbajti premtimet e tyre duke ekstraduar kriminelët e ligjit të zakonshëm penal, ata e kanë gabim,” tha ministri Bekir Bozdag në një intervistë të botuar sot për gazetën “Milliyet”

Që nga mesi i majit, Turqia, një anëtare e NATO-s, ka bllokuar procesin e zgjerimit të aleancës Atlantike me përfshirjen e Suedisë dhe Finlandës, duke akuzuar të dy vendet për mbrojtjen e kurdëve.

Në fund të qershorit, ministrat e jashtëm të Turqisë, Suedisë dhe Finlandës kishin nënshkruar megjithatë një memorandum marrëveshjeje që hapte rrugën për anëtarësimin e dy vendeve në aleancën Atlantike.

Të nesërmen Turqia u kërkoi dy vendeve ekstradimin e 33 personave, shumica e të cilëve konsiderohen si “terroristë” nga Ankaraja.

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje në lidhje me ekstradimin e anëtarëve të FETO-s, PKK dhe organizatave të tjera terroriste”, tha ministri turk.

Emri i Okan Kale, ai është shtetasi i parë turk, kërkesa për ekstradim të të cilit u pranua nga Suedia u përfshi në listën me 33 emra të publikuar në fund të qershorit nga mediat turke.

Kale ishte dënuar për mashtrim. Një takim mes Turqisë, Finlandës dhe Suedisë në lidhje me procesin e anëtarësimit të dy vendeve në NATO është planifikuar të zhvillohet më 26 gusht.

Takimi do të zhvillohet në Suedi, sipas mediave suedeze. Rreth 20 vende anëtare të NATO-s – nga 30 gjithsej  kanë ratifikuar tashmë kërkesën për anëtarësim të dy vendeve nordike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!