Turqia voton këtë të dielë për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Të parat mund ta kthejnë Erdogan në presidentin e parë me pushtet ekzekutiv, ndërsa të dytat mund të çojnë në krijimin e një mazhorance që kundërshton pozitat e tij.
Turqia voton sot për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, dy procese që do të vendosin të ardhmen politike të presidentit Recep Tayip Erdogan. Ishte vetë kreu i shtetit që më herët gjatë vitit bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme e që tani shpreson të çimentojë pozicionin e tij të dendur me kompetenca të reja. Erdogan i ka fituar të gjitha zgjedhjet në 15 vite pushtet, por aktualisht Turqia ndodhet në mes të një krize ekonomike-politike dhe përballë tij qëndron një opozitë e fortë.
Sidoqoftë, Erdogan është favorit për fitore dhe ai synon të sigurojë presidencën me më shumë se 50 për qind të votave. Me të mbaruar procesi elektoral, një gamë fuqish të reja të miratuara me referendumin e vitit 2017 do të hyjnë në fuqi, duke e transformuar rolin e presidentit nga ceremonial në ekzekutiv. Në rast se nuk arrihet 50-përqindëshi, votimi do të kalojë në raundin e dytë, që mund të zvogëlojë përmasat e fitores dhe mandatin e tij, por që mund të mbyllet edhe me disfatë.
Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare mund të sjellin një rotacion politik dhe rrjedhimisht një legjislaturë që mund të kundërshtojë pozitat e përforcuara të presidentit. Erdogan, i mbështetur nga partia e tij islamike AKP, ka reformuar Turqinë më shumë se çdo lider tjetër që nga themelimi i shtetit modern. Por ai konsiderohet një figurë kontradiktore, duke pasur parasysh reagimin ndaj grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Që prej atëherë Turqia ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme dhe 100 e 7 mijë funksionarë publikë dhe ushtarë janë shkarkuar nga detyra, ndërsa mbi 50 mijë persona janë burgosur./abcnews.al