Policia turke ka arrestuar 6 persona në ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Ata janë arrestuar pasi akuzohen se kanë fyer dhe tallur presidentin Erdogan.
Në ditën e zgjedhjeve, të paktën 6 persona janë arrestuar nga policia në Turqi me akuzën se kanë fyer kreun e shtetit, Rexhep Tajip Erdogan, në disa video të publikuara në rrjetet sociale. Xhirimet janë shpërndarë në mbështetje të tubimit elektoral të kandidatit kryesor të opozitës, Muharrem Inçe, i cili mblodhi rreth 1 milionë mbështetës në Stamboll.
Lajmi për arrestimet është dhënë nga agjencia shtetërore Anadollu, që shton se forcat e sigurisë po kërkojnë të identifikojnë edhe përdorues të tjerë të dyshuar se shpërndajnë “fyerje ndaj autoriteteve shtetërore”.
Që nga zgjedhja e tij president në Gusht të 2014-s, qindra persona janë procesuar për fyerje ndaj Erdogan, mes të cilëve gazetarë, personazhe të botës së sportit dhe spektaklit si dhe shumë studentë. Pikërisht këtij fenomeni i frikësohet edhe faktori ndërkombëtar. Me fuqizimin e pushtetit, Erdogan mund të vijojë përndjekjet e atyre që cilëson si kundërshtarë politike dhe të personave që ironizojnë apo akuzojnë presidentin turk./abcnews.al