Turqi-Siri, Putin ftesë Erdogan

schedule12:27 - 16 Tetor, 2019

schedule 12:27 - 16 Tetor, 2019

Presidenti i Turqisë Erdogan shumë shpejt do të jetë në Kremlin për t’u takuar me Vladimir Putin, me kërkesë të këtij të fundit. Zyra e shtypit e presidencës ruse theksoi se ftesa është bërë gjatë një bisede telefonike mes liderëve për situatën në Siri, dhe se takimi do të realizohet brenda pak ditësh.

Vladimir Putin dhe Erdogan kanë biseduar nëpërmjet telefonit për sulmet ushtarake turke në verilindje të Sirisë. Lajmi është konfirmuar nga Kremlini sipas të cilit, biseda është përqendruar në situatën në Siri.

Putin ka ftuar Erdogan në Moskë dhe presidenti turk ka pranuar ftesë, ndërsa takimi do të ndodhë Brenda pak ditësh. Ndërkohë është përgënjeshtruar lajmi sipas të cilit qyteza siriane strategjike e Manbij kishte rënë në duart e forcave ushtarake të presidentit sirian Asad.

Përplasje të dhunshme vijojnë ende këto orë mes luftëtarëve kurdë të mbështetur nga forcat e ushtrisë siriane dhe militantët arabë filo-Ankara në veri të Sirisë pranë kufirit me Irakun.

Të enjten është parashikuar dhe takimi mes Erdogan dhe zv/presidentit amerikan Mike Pence, i dërguar nga Donald Trump për të diskutuar rreth ofensivës ushtarake të Ankarasë në Siri.

Mediat raportojnë se gjatë bisedës telefonike mes Putin dhe Erdogan është theksuar domosdoshmëria për të parandaluar konfliktet mes njësive të ushtrisë turke dhe trupave qeveritare siriane. Zyra e shtypit të presidencës ruse konfirmoi se lideri i Kremlinit ka kritikuar situatën e rëndë humanitare të krijuar në rajonet përgjatë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë.

Sipas ministrisë turke të mbrojtjes janë 637 terroristët e neutralizuar që nga nisja e operacionit ushtarak turk. Vetë Erdogan deklaroi se të paktën 556 nga këta luftëtarë janë vrarë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!