25 gazetarë në Turqi janë dënuar me burg nga një gjykatë, e cila i ka shpallur fajtorë për lidhje me klerikun në mërgim Fetullah Gulen, i akuzuar për orkestrimin e grushtit të shtetit të vitit 2016.
Një gjykatë në Turqi ka dënuar këtë të enjte 25 gazetarë për ndihmë në organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Lajmin e bën të ditur agjencia shtetërore “Anadolu”.
Gazetari i njohur Murat Aksoy u dënua me 25 muaj burg për akuzën se kishte ndihmuar një organizatë kriminale. Analisti dhe njëkohësisht këngëtari, Atilla Tas, u dënua me 37 muaj për të njëjtat akuza.
Ndërkohë, 11 reporterëve të tjerë iu dhanë në tërësi 6 vjet dhe 3 muaj për pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur, ndërsa 12 të tjerëve, 7 vjet e 6 muaj për konsumim të së njëjtës vepër penale. Gjykata çliroi nga akuzat vetëm një të pandehur, bën të ditur më tej agjencia “Anadolu”.
“Unë gjithmonë kam patur besim tek drejtësia. Unë thjesht nuk jam pajtuar me qeverinë, nëse kjo është krim, atëherë le të dënohem”, ka thënë Tas për degën turke të CNN.
Shumica e gazetarëve punonin për redaksi që tashmë janë mbyllur nga qeveria për lidhje me rrjetin e klerikut mysliman Fethullah Gulen. Ankaraja zyrtare e akuzon atë se ka orkestruar grushtin e dështuar të shtetit dy vjet më parë, gjatë të cilit mbetën të vrarë 250 persona.
Nga ana e tij, Gulen ka mohuar çdo përfshirje. Deri më sot, gjykatat në Turqi kanë përfunduar 104 procese gjyqësore kundër personave të konsideruar anëtarë të organizatës terroriste FETO. Në këtë seri procesesh janë shpallur dënime me burg për 797 të pandehur, 586 prej të cilëve kanë marrë burgime të përjetshme./abcnews.al