Turqia ka marrë konfirmimin e Arabisë Saudite për të kontrolluar konsullatën e saj në Stamboll, për shkak të hetimeve për gazetarin e zhdukur të martën e kaluar. Pavarësisht kësaj, Ankaraja pretendon se gazetari është vrarë brenda selisë diplomatike.
Turqia njoftoi se do të zhvillojë një kontroll në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll lidhur me gazetarin, Jamal Khashoggi, i cili rezulton i zhdukur që prej të martës. Ministri i jashtëm i Ankarasë tha se Arabia Saudite “ishte e hapur për bashkëpunim” dhe një kontroll i kërkuar në ndërtesë mund të zhvillohet si pjesë e hetimeve.
Për herë të fundit, Khashoggi është parë duke hyrë në konsullatë. Më herët autoritetet turke besonin se ai mund të jetë vrarë brenda selisë diplomatike.
Megjithatë, Arabia Saudite mohon këto pretendime. Thuhet se gazetari, një bashkëpunëtor i Uashinton Post, është larguar nga Konsullata disa çaste pasi hyri, ndërsa Turqia thotë se ai nuk është parë të largohej nga ndërtesa. Qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i ka kërkuar Arabisë Saudite prova që ai është larguar, pavarësisht se nuk ka treguar asnjë provë për pretendimin se Jamal është vrarë.
Një kritik i fortë i Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, Khashoggi jetonte në ekzil në Shtetet e Bashkuara dhe shkruante opinione për Uashington Post përpara se të zhdukej. Presidenti amerikan Donald Trump tha se është i shqetësuar lidhur me zhdukjen e 59-vjeçarit.
Jamal Khashoggi ndodhej në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument që vërtetonte se ka divorcuar ish gruan, në mënyrë që të martohej me të fejuarën turke, Hatice Cengiz, të cilës i ka kërkuar që të telefononte një këshilltar të Erdogan nëse nuk kthehej nga selia diplomatike./abcnews.al