Profesori Fatos Tarifa ka deklaruar në emisionin “Real Story” në ABC News, se të jesh sot deputetë në Shqipëri është turp, pasi të tregojnë me gisht dhe nuk përfaqëson popullin, por interesat personal.
Sakaq, ai e ka konsideruar ish-kryeministrin Sali Berisha, si një fatkeqësi për vendin dhe deputetët që mbrojnë atë si ‘spartanët’ e vendosur për të mbrojtur liderin.
Sipas Tarifës, duhet lënë sistemi i drejtësisë të bëjë punën dhe gjithsecili duhet të marrë atë që meriton.
“Po prisja me televizorin ndezur kur filloi seanca. E para gjë që më ra në sy është që ka shumë anëtarë parlamenti i Shqipërisë, gjysma e tyre duhet të jenë. E dyta, është që janë të dhunshëm. E treta, asnjë prej tyre nuk përfaqëson popullin. Parlamenti çdo ditë të vitit duhet të diskutoj hallet e popullit, nuk është ditë e caktuar sot. Por duke mos qene përfaqësues të popullit, por të partisë dhe kryetarit, kuptohet që hallet e popullit nuk vijnë kurrë në kuvend. Kur qe puna për të amenduar ligjin për rritjen e pagave të administratës, po ky parlament për pak orë i dyfishoi rrogat e deputetëve, lidhen dhe bien dakord kur është interesi i tyre, kur është puna të diskutohen hallet e mëdha të popullit ja çfarë ndodh dhe nuk është një rast i vetëm. Është krijuar një situatë e tillë, më vjen keq që e them, por është turp të jesh deputet, kushdo të tregon me gisht, nuk përfaqëson vërtetë askënd, as ide nuk diskutohen, as probleme të mëdha nuk sillen. Ligjet që kalojnë shumica nuk i dinë se cilat janë. Kurse të mbrosh sot, siç janë një grup deputetësh, Sali Berishën, që e kam quajtur vite më parë, një fatkeqësi për këtë vend, nuk e kuptoj se çfarë duhet të jesh që t’i dalësh në krahë. Në një shkrim të fundit, i kam quajtur ‘spartanët e vendosur për të mbrojtur liderin e tyre’, por nuk të çon asgjëkundi ajo rrugë. Lere sistemin e drejtësisë të bëjë punën e vetë dhe njeriu për atë që ka bërë, do të marri atë që meriton”, u shpreh ai./abcnews.al