Turne miqësor para Euro 2024, marrin pjesë Shqipëria, Afrika e Jugut, Algjeria dhe Bolivia

schedule11:16 - 26 Dhjetor, 2023

schedule 11:16 - 26 Dhjetor, 2023

Kombëtarja e Shqipërisë pritet të marrë pjesë në një turne miqësor si pjesë e përgatitjeve të skuadrës kuqezi përpara finaleve të Euro 2024. Lajmi qarkullon prej ditësh në Algjeri, ku përveç organizatorëve dhe skuadrës shqiptare do të marrin pjesë Afrika e Jugut dhe Bolivia.

Jo një apo dy ndeshje, por një turne të plotë miqësor. Është ky një opsion për kombëtaren e Shqipërisë në përgatitjet e saj përpara finaleve të Euro 2024.

Bëhet fjalë për një turne që do të zhvillohet në Algjeri gjatë muajit mars, kur janë edhe datat e lira të FIFA.

Përveç organizatorëve, do të marrin pjesë Shqipëria, Afrika e Jugut dhe Bolivia.

Në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk e zyrtarizojnë këtë pjesmarrjen e skuadrës kuqezi, por mediat algjeriane flasin me siguri për këtë turne.

E sigurtë është që në federatë po punojnë prej javësh për të siguruar të paktën dy kundërshtarë për skuadrën e Silvinjos përpara aventurës në Euro 2024.

Duke parë nivelin e kundërshtarëve në Grupin B të Kampionatit Europian, tekniku kuqezi do të preferonte rivalë të fortë për miqësoret e marsit.

Opsionet për të luajtur me Zvicrën apo Turqinë, dy skuadra gjithashtu të kualifikuara në Euro 2024, u sfumuan shpejt për shkak të axhendës së tyre.

Në këtë mënyrë, turneu miqësor në Algjeëri duket se është një mundësi e mirë në përgatitjet e kombëtares kuqezi përpara Kampionatit Europian që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!