Turizmi solli 1.1 mld euro më pak në 2020, BSH: Shkak, mbyllja e kufijve gjatë pandemisë

schedule17:10 - 27 Mars, 2021

schedule 17:10 - 27 Mars, 2021

Nga Erblina Mile

Pandemia e vitit të kaluar solli një goditje të fortë në sektorin e turizmit gjatë vitit që lamë pas.

Mbyllja e kufijve midis vende shkaktoi anulime të shumta të kontratave dhe prenotimeve të turistëve të huaj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 2020 turistët e huaj sollën 1.1 miliardë euro më pak  në vend nëse e krahasojmë këtë me  një vit më parë.

Gjatë viti që lamë pas të dhënat zyrtare tregojnë se numri i turistëve të huaj ra me rreth 60% ndërsa u anuluan prenotimet e turistëve që vinin kryesisht me paketa si  polakët apo çekët. Të vetmit turistë që pati Shqipëria gjatë verës së vitit të kaluar ishin kosovarët por pesha e tyre në të ardhura mbetet shumë e vogël.

Në total gjatë 2020 turistët e huaj kanë sjellë në vend vetëm 988 milionë euro,  ndërsa në 2019  të ardhurat nga turistët e huaj ishin  mbi 2 miliardë euro .Por përtej përgjysmimit të ardhurave nga turistët e huaj pandemia ndikoi edhe në uljen e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në krahasim me 2019 shqiptarët që kanë udhëtuar  për  pushime kanë pësuar një rënie me 50% ndërsa në vlerë  financiare kanë kursyer  rreth 916 milionë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë qytetarët shqiptarë shpenzuan për qëllime turistike 667 milionë euro nga 1.5 që harxhuan në 2019. Edhe  gjatë këtij viti treguesit për sektorin e turizmit mbeten shumë pesimistë.

Udhëtimet vijojnë të jenë të kufizuara drejt pjesës më të madhe të vendeve ndërsa vaksinimi në masë shihet si një prej mundësive që  të rinisë sezoni turistik. Operatorët turistikë në Shqipëri janë të shqetësuar për këtë sezon veror ndërsa theksojnë se ende nuk kanë rezervime konkrete nga të huajt. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!