Dy miliardë euro të ardhura dhe 30 mijë të punësuar ka përfituar ekonomia e vendit nga turizmi në harkun kohor të pesë viteve. Kryeminstri Edi Rama bëri të ditur të dhënat në Konferencën Kombëtare të Turizmit.
Në konferencën kombëtare për turizmin, kryeministri Edi Rama fjalën e tij e nisi me një përgjigje për gazetat kroate, të cilat shkruajne se: “Kroacisë turistët ja ka marrë Shqipëria”.
Edi Rama, Kryeministër: “Ne nuk jemi duke marrë turistët nga Kroacia por është fakt gjithnjë e më kuptimplotë se nëse turizmi në Kroaci apo në vende si Kroacia ka një vendnumëro që lidhet nga ezaurimi i mundësive, Shqipëria ka një potencial ende të madh të pashfrytëzuar”.
Ndërkohë, panoramën e turizmit në Shqipëri pesë vitet e fundit, kryeministri e paraqiti përmes shifrave.
“Në 5 vitet e fundit ne kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë dhe nga 1 miliard euro të ardhura në afro 2 miliardë euro të ardhura nga turizmi, me një reflektim shumë domethënës dhe në punësim ku gjatë sezonit turistik kemi mbi 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit”.
Sfida është arritja e 10 milionë turistëve në harkun kohor të 4-5 viteve, por sipas shefit të qeverisë, kërkohet një qasje tjetër ndaj turizmit.
“Ne nuk mund të vazhdojmë më të ndërtojmë turizëm Shqipërie për shqiptarët në kuptimin e vazhdimit të ndërtimit të të ashtuquajturave fshatra turistikë që konceptohen si fshatra personalë për tu shitur tek bashkëfshatarë shqiptarë të rrethuar me mure pa asnjë lidhje me çfarë ka majtas e djathtas, përballë detit e pa asnjë lloj respekti për çfarë ka mbrapa, duke u pasuar njëri pas tjetrit”.
Deklaratat kryeministri i bëri në një nga hotelet luksoze në kryeqytet, ndërkohë që njoftoi se shumë shpejt, të tjera firma ndërkombëtare të hoteleve me pese yje do të vendosen në Shqipëri./abcnews.al