Turizmi në krizë, 1.5 miliard euro më pak në ekonominë shqiptare, rriten çmimet deri në 30 %

schedule14:43 - 15 Qershor, 2020

schedule 14:43 - 15 Qershor, 2020

Pandemia pritet të reduktojë deri në 70 % numrin e turistëve në vendin tonë krahasuar me një vit më parë.

Operatorët turistikë shprehen pesimistë. Edhe pse prej dy javësh janë hapur plazhet, numri i pushuesve është i pakonsiderueshëm ndërsa për turistë të huaj nuk bëhet fjalë në këto momente.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik në Shqipëri deklaron se ekonomisë do t’i mungojnë 1.5 miliard euro.

“Ngelet për tu parë se çfarë rezervimesh të reja do të kemi. Do të rifillojnë rezervimet, por pasi të ketë një datë rezervimesh. Nëse do të vazhdojmë në të njëjtën situatë, pritet që industria e turizmit pritet të ketë mbi 1.5 miliard euro humbje”, u shpreh ai.

Përballë kësaj krize, thonë se janë të detyruar të rrisin edhe çmimet. Shoqata e turoperatorëve thotë se, në krahasim me sezonin e kaluar, paketat janë rritur deri 30%.

“Këtu diskutohet që të shkojnë, 20-25 deri në 30% më të larta se çmimet që kanë qenë. Çmimet janë rritur pasi nuk mund të mbijetonin duke shfrytëzuar vetëm gjysmë sezonin”, u shpreh ai.

Ndërkohë ata i bëjnë apel qeverisë, por jo me kredi me interesa të ulëta.

“Do të duhet një plan masash me mbështetje fiskale, financiare dhe jo thjeshte dhënie kredie nga banka. Ne kemi nevojë për kredi 100 % sovrane”, tha më tej ai.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë turizmi solli në Shqipëri rreth 93 milion euro në tremujorin e parë të këtij viti. Turistët e huaj sollën 346 milion euro në Shqipëri ndërsa  nga shqiptarët që udhëtuan jashtë u shpenzuan 253 milion euro.

Tremujori i dytë pritet të jetë negativ, sa i përket të ardhurave në këtë sektor, kjo pasi kjo kohë përkon me pandeminë dhe kufizimin e plotë të vendeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!