“Turizmi me pandemi” ulet numri i pushuesve krahasuar me 2019

schedule18:32 - 23 Gusht, 2020

schedule 18:32 - 23 Gusht, 2020

Edhe kjo javë e fundit e gushtit me temperatura mjaft të larta po u jep mundësi mijëra pushuesve të frekuentojnë plazhet tona buzë Adriatikut dhe Jonit.

Për shkak të pandemisë numri i pushuesve ka rënë ndjeshëm këtë sezon, ndërsa sektori i turizmit ka pësuar goditje të rëndë.

Në Vlorë pati fluks pushuesish në këtë fundjave, teksa gushti po numëron ditët e fundit.

Turistët  janë kryesisht nga vendet e rajonit por edhe nga qytete të tjera të vendit. Kushtet dhe çmimet për shumicën e tyre janë të favorshme.

“Çmimet janë të arsyeshme, plazhet janë shumë të mira. Pandemia nuk na kap, jemi kockë e fortë ne nga Vlora. Jam i impresionuar, vende shumë të bukura”.

Ata që kanë ndjerë vështirësi janë operatorët turistike por edhe ata që administrojnë plazhe e japin çadra e shezllone me qira.

“Shumë e vështirë në krahasim me vitin e kaluar, rënie me gati 40 %”, thotë një prej tyre.

Pavarësisht pandemise, fluksi i pushueseve këtë javë të fundit në gusht në Vlorë ka qenë i konsiderueshëm. Ndërsa sipas operatorëve turistike në Vlorë , hotelet këtë fundjavë kanë qenë të frekuentuar në rreth 80% të tyre.

Fundjava e parafundit e muajit gusht, ka sjellë edhe në bregdetin e Durrësit shumë pushues.

Ata  shprehen të kënaqur me mundësitë e pushimit.

“Kam 4 vitë që e frekuentoj. Virusi na ka trembur por jemi të kënaqur edhe pse shqiptarët nuk e respektojnë distancën, të them të drejtën”.

Veç vijës bregdetare,  edhe çmimet e ulta i shtyjnë të frekuentojnë Adriatikun.

“Kemi ardhur nga Kosova, çmimet me duken shumë mirë, normale. Vendi është i qetë po kalojmë shumë mirë”.

Por disa probleme si mungesa e dusheve dhe banjave publike vihen re në një pjese të mirë të vijës bregdetare.

“Uji mbetet problem por edhe banjo publike duhet të ketë se shkojnë e ndyjnë në plazhe”.

Operatoret turistike në Durres thonë se muaji gusht ka pasur një fluks në rritje të pushuesve nga Kosova, krahasuar me Korrikun. Por në raport me sezonin e shkuar krahasimi është shumë larg.

Pritet  që sezoni turistik veror të zgjatet edhe për disa ditë të tjera, për shkak të kushteve të favorshme të motit.

Kryetari i shoqatës së hoteleri-turizmit në Durrës, Eduard Xhepa tha për ABC News se zgjatja e sezonit do të ishte pozitive për industrinë e turizmit në vend.

“Këtë vit më Duket sikur kemi gjetur një dakordësi me klientët dhebashkëpunëtorët tanë për të bërë një shtrirje sezoni më të gjatë, që pushuesit të zgjedhin një sezon që është më pak i ngarkuar dhe jo atëherë kur ka shumë dyndje”, tha Xhepa.

Në këtë sezon industria e turizmit pësoi humbje të mëdha për shkak të pandemisë së koronavirusit./abcnews.al