“Turizmi masiv na kushton më shumë”, Kumbaro: Ja pse Shqipërisë i duhet turizmi elitar

schedule20:30 - 18 Shtator, 2023

schedule 20:30 - 18 Shtator, 2023

Ndonëse turizmi këtë vit shënoi shifra rekord, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se është e shqetësuar lidhur me efektet që mund të prodhojë një turizëm masiv.

Si ministre e Mjedisit, Kumbaro vuri theksin te turizmi elitar, por për këtë tha ajo në emisionin Real Story në ABC News, duhet rritur cilësia e shërbimeve.

“Si ministër mjedisi jam shumë e shqetësuar edhe për efektet që mund të prodhojë një turizëm masiv. Sepse do vijë një moment, që ne mund të kënaqemi dhe krenohemi me shifrat po na duhet të ruajmë Shqipërinë e vogël, cilësinë e ujërave, të detit, pyjet etj. Dhe nëse ne do të kemi dyndje të turistëve, që vijnë vetëm për këtë arsye, na duhet të ngremë cilësinë e shërbimeve, të ngremë standardin dhe bashkë me të do rriten edhe çmimet. Nëse më pyesni preferoj 1 mijë turistë që paguajnë 10 euro në ditë apo 100 turistë që paguajnë 1000 euro në ditë, biem dakord që do preferonim këta të dytët, sepse çdo turist që shpenzon pak por ndot shumë na kushton shumë më tepër në mirëmbajtje të territorit. Mendoj se Shqipëria ka nevojë të shkojë drejt turizmit elitar”, tha Kumbaro, ndërsa e konsideroi vendimin e qeverisë që nxit hotelet me 4 dhe 5 yje, një vendim strategjik.

“Ajo që ka bërë qeveria është që me mjetet që ka, prej 6 vitesh të gjitha strukturat akomoduese, në momentin që marrin certifikohen në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, përfitojnë 6% TVSH. Po kështu kemi një tjetër ligj, ai për investimet strategjike, të cilin po e shikojmë për t’u përshtatur me kohën që po jetojmë. Pra, një investitor që investon mbi 10 mln euro, që mundëson qindra vende pune që ka mundësinë të ndërtojë një hotel të nivelit shumë të lartë 4 apo 5 yje. Dhe që krijojnë një program gjelbërimi dhe për fëmijë. Ndaj ne duhet ta ndjekim tregun dhe ta orientojmë”, theksoi Kumbaro./abcnews.al