Një turist 46-vjeçar nga Bullgaria është dëmtuar pasditen e sotme në disa shkëmbinj në Bjeshkët e Vranit teksa ka qenë duke eksploruar në zonën e Lekbibaj.
Ai ka njoftuar ambasadën duke kërkuar ndihmë pasi nuk mund të ecte për shkak të dëmtimeve të marra.
Në ndihmë të tij kanë shkuar forcat e policisë dhe disa turistë nga Kosova. Ata e kanë transportuar për të paktën 10 km në krahë deri në mbërritjen e një pike ku mund të ulej helikopteri në Lekbibaj.
Më pas turisti është transportuar me helikopter në spitalin e Tropojë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
“Turisti bullgar ka falënderuar Policinë dhe alpinistët kosovarë që i erdhën në ndihmë duke i shpëtuar jetën.
Policia e Tropojës gjen rastin të falënderojë edhe njëherë alpinistët nga Kosova, të cilët bashkëpunuan me punonjësit e Policisë, për t’i ardhur në ndihmë turistit nga Bullgaria”, njofton policia mes të tjerash. m.v/abcnews.al


