SHQIPËRI– Turistët e huaj kanë qëndruar më gjatë në Shqipëri përgjatë pikut të sezonit.
Të dhënat e Instat tregojnë se në muajin gusht netqëndrimet u rritën me 42,6 % ndërsa fluksi më i madh i vizitorëve u shënua në zonat bregdetare dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme .
Sipas Instat, në Gusht 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Kosova me rreth 21 %, Polonia 12 % dhe Italia 10 %.
Franca dhe Gjermania kontribuuan secila me nga 7 % të vizitorëve, ndërsa 43 % e tyre ishin nga vende të tjera.
Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Lufta ndaj informalitetit e nisur në këtë sektor duket se ka dhënë efekte pasi norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në mbi 61 %, krahasuar me 59 % që ishte një vit më parë.
Ndër të tjera ky tregues tregon edhe një rritje të kërkesës dhe përdorim më efikas të kapaciteteve akomoduese, në kulmin e sezonit turistik.
Këto shifra të fundit të Instat konfirmojnë një performancë të mirë të sektorit të turizmit, me rritje të vizitorëve të huaj, të net qëndrimeve dhe të shfrytëzimit të hoteleve. 10.2 milionë vizitore te huaj ka pritur Shqipëria deri ne fund te muajit shtator.
Sipas të dhënave zyrtare rezulton se është shënuar një rritje me 6% e vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Këto shifra konfirmojnë fluksin turistik që ka pritur vendi gjatë këtij viti si dhe impaktin e rëndësishëm që ka dhënë në ekonomi.
Po ashtu numri i vizitoreve të huaj tregon se Shqipëria është shndërruar në një ofertë turistike me turizëm gjithëvjetor/abcnews.al

