Thomas Tuchel u prezantua zyrtarisht si trajner i kombëtares së Anglisë. Në fillim vizita në “Uembli” dhe më pas konferenca zyrtare për mediat. Zgjedhja e tij ka përçarë opinionin sportiv në Angli dhe një nga pikat ku mbështeten kritikuesit ka të bëjë me faktin se ai është gjerman.
Ky detaj nuk I ka shpëtuar Tuchel, që përpara se të merrte pyetjet nga gazetarët e shumtë të pranishëm në sallë hodhi një batutë ironike.
“Më falni për pasaportën gjermane”, tha tekniku, që më pas ngriti shumë lart stekën, kur e pyetën për objektivin.
“Shpresoj t’ju bind, do të jap gjithçka në këtë pozicion. Ndoshta tifozët e kanë ndjerë pasionin tim për Premier League dhe për vendin, e dinë mirë sa më pëlqen të jetoj dhe të punoj këtu. Ne do të punojmë mbi atë që është ndërtuar, do të shtojmë edhe pak për të arritur në vijën e finishit. Konsistenca që ka pasur ky ekip është mbresëlënëse, kemi lojtarë që konkurrojnë në ligat më të mira në botë dhe dua të fitoj yllin e dytë me Anglinë”.
Thomas Tuchel ka firmosur deri në fund të korrikut të vitit 2026, pra deri në përfundim të Botërorit të ardhshëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Pas turneut, palët do të ulen sërish për të diskutuar nëse do të rinovojnë ose jo kontratën.
Thomas Tuchel kthehet në pankinë, pas aventurës aspak të mirë me Bayern Munich, ndërsa do të bëhet trjaneri i tretë I huaj në drejtim të kombëtares së Anglisë, pas Sven-Goran Eriksson nga viti 2001deri në 2006 dhe Fabio Capello nga viti 2007 deri në 2012.
Trajneri gjerman gëzon një admirim të madh në opinionin sportiv anglez, pas sukseseve të arritura në pankinën e Chelsea në vitin 2021, ku fitoi Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube.