Tuchel prezantohet te Bayern Munich: Nder i madh të firmos për këtë klub

schedule13:01 - 25 Mars, 2023

schedule 13:01 - 25 Mars, 2023

Pak çaste më parë, Bayern Munich ka prezantuar zyrtarisht trajnerin gjerman Thomas Tuchel në një konferencë për shtyp. Të pranishëm kanë qenë gjithashtu Kahn dhe Salihamidzic.

Në fillim, Oliver Kahn ka folur për ndarjen me trajnerin Nagelsmann.

“Ne kemi një detyrë dhe përgjegjësi për t’u fokusuar në suksesin sportiv. Ne pyetëm veten se nga vinte forma e ekipit tonë, uljet dhe ngritjet. Shikuam gjithçka nga afër dhe arritëm në një përfundim.

Gjërat filluan të ndryshojnë pak sezonin e kaluar, për sa i përket paraqitjeve të paqëndrueshme. Skuadra është gjithmonë në gjendje të krijojë pika kryesore, por herë pas here ka edhe dobësi të pashpjegueshme. Ne forcuam skuadrën tonë dhe kemi një nga ekipet më të mira në botë.

Pavarësisht kësaj, konsistenca nuk u përmirësua vërtet. Ne nuk mund të ishim të kënqaur me rezultatet dhe disa nga paraqitjejt tanë gjysmën e dytë të sezonit”, tha Kahn.

Më pas, Tuchel ka thënë fjalët e tij të para si trajneri i klubit gjerman.

“Është një nder i madh që mund të nënshkruaj një kontratë me Bayernin. Unë do të doja të falenderoja Oliver Kahn, Hasan Salihamidzic, Herbert Hainer dhe Uli Hoeneb për besimin e tyre. Edhe nëse kam punuar jashtë vendit për një kohë, bëhem edhe më i vetëdijshëm për rëndësinë e klubit.

ADN-ja e këtij klubi është përkushtimi. Gjithçka ka të bëjë me fitoren në Bayern, si dhe mënyrën se si fiton. Skuadra këtu është një nga më të mirat dhe më të talentuarat në Evropë, dhe unë jam i emocionuar që mund të punoj së bashku me këtë skuadër”, ka thënë Tuchel.

Më pas Kahn ka marr fjalën përsëri duke folur për Tuchel.

“Kualitetet e tij janë mbresëlënëse, kuptohet, siç është edhe karriera e tij. Të drejtosh një ekip si PSG në finalen e Champions League nuk është e lehtë, dhe ai gjithashtu punoi me sukses gjatë kohës së tij te Chelsea. CV e tij është shumë mbresëlënëse.

Jemi të gjithë shumë të kënaqur që Thomas Tuchel është trajneri ynë i ri”, ka përfunduar Kahn./h.ll/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!