Chelsea do të luajë dy finale brenda pak ditësh. Të parën e zhvillon nesër (e shtunë, 18:15) ndaj Leicester City, duel që do të shpallë fituesin e FA Cup për këtë sezon, ndërsa më 29 maj është radha e finales së madhe të Champions League kundër Manchester City.
Humbja e fundit në kampionat ndaj Arsenalit (0-1), e ka tërbuar keq trajnerin gjerman. Një disfatë që rrezikon objektivin për t’u renditur në një nga katër vendet e para. Tuchel e ka mendjen akoma te sfida ndaj “Topçinjve”, diçka që e konfirmon në konferencën për shtypin.
“Nuk jam akoma në gjendje të shijoj finalen e nesërme. Jam ende i zemëruar për humbjen me Arsenalin, pasi na iku nga duart një shans i mirë për t’u kualifikuar në Champions League për sezonin e ardhshëm. Shpresoj ta transformoj këtë zemërim në një përgatitje të mirë.
Dua që Chelsea të shfaqet i fortë dhe të luajë në limitet e veta. Kjo është finalja ime e parë në Angli, por nuk do lejoj që të rrëmbehem nga emocionet“, theksoi trajneri 47-vjeçar i “Bluve të Londrës”, të cilët kanë shpërthyer në fazën e dytë të sezonit. /abcnews.al