Policia e Pogradecit ka gjobitur me 700.000 lekë një 29-vjeçar. Sipas policisë i riu me inicialet B.D., kishte ardhur nga Italia së fundmi dhe i ishte kërkuar që të vetëizolohej për 14 ditë.
Ndrëkohë ky i fundit ka thyer rregullin dhe është kapur nga policia në aksin Pogradec-Rëmenj, duke lëvizur me mjetin e tij tip “Volkswagen Passat”.
Njoftimi i plotë:
Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Thyen rregullin e vetëkarantinimit dhe kapet duke qarkulluar me mjet pa autorizimin përkatës, gjobitet në vlerën 700.000 lekë një 29-vjeçar.
Gjobitja me masë administrative në vlerën 700.000 lekë, për shtetasin B.D., 29 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.
Ky shtetas, më datë 06.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar.
Shtetasi i mësipërm është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore në aksin Pogradec-Rëmenj, duke lëvizur me mjetin e tij tip “Volkswagen Passat”.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, ndaj këtij shtetasi u bë tërheqja e lejes së drejtimit, bllokimi i automjetit si edhe u ndëshkua me masën administrative në vlerën 700.000 lekë.
Policia apelon edhe njëherë për të gjithë ata shtetas që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në të mirë të shëndetit të tyre dhe njerëzve të tjerë.
/abcnews.al