Kryeministri grek Aleksis Tsipras po zhvillon sot një vizitë zyrtare historike në Shkup. Kjo është vizita e parë e një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut. Në aeroportin e Shkupit, ai është pritur ne aeroport nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Më pas, në një ceremoni shtetërore, Tsipras dhe delegacioni që e shoqëron u prit nga homologu Zoran Zaev.
I shoqëruar nga 10 ministra dhe rreth 70 biznesmenë, Aleksis Tsipras dhe mikpritësi i tij kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, firmosen një mori marrëveshjesh për bashkëpunim dypalësh në fushën e ekonomisë, transportit, infrastrukturës dhe të mbrojtjes.
Veç bisedimeve kokë më kokë me homologun e tij maqedonas, Tsipras do të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi si dhe do të marrë pjesë edhe në forumin e biznesmenëve të të dyja vendeve.
Sipas analistëve, vizita synon të ndryshojë impaktin negativ që është krijuar në opinionin grek pas miratimit të marrëveshjes së Prespës. Tsipras gjithashtu kërkon të dëshmojë se tashmë janë hapur perspektiva të reja për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve./abcnews.al