Për herë të parë që nga arritja e marrëveshjes për emrin, një kryeministër grek viziton Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Greqisë Tsipras do të jetë të martën e ardhshme në Shkup ku do të takohet me homologun e tij Zaev.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras më dy Prill do të qëndrojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një vizitë kjo e pare zyrtare e një kryeministri nga Athina, pas kapërcimit të kontestit prej një çerekshekulli lidhur me emrin e Maqedonisë.
Parashikohet që ai dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, si dhe delegacionet e të dyja vendeve të kenë takime dypalëshe që do të pasohen me një mbledhje të përbashkët ndërqeveritare.
Kryeministri Tsipras do të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe më pas pas konferencës së përbashkët të shtypit, kryeministrat e dy vendeve fqinje do të hapin një forum biznesi.
Shkupi dhe Athina firmosën më 17 Qershor të vitit të kaluar Marrëveshjen e Prespës lidhur me emrin, duke bërë që Athina zyrtare të zhbllokojë procesin e integrimit euroatlantik të vendit fqinj, kurse kryeministrat Zoran Zaev e Aleksis Tsipras, janë edhe zyrtarisht kandidatë për çmimin “Nobel”./abcnews.al