Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka paralajmëruar Shkupin se nuk do të lejojë anëtarësimin e këtij vendi në BE dhe NATO pa implementimin e marrëveshjes së Prespës. Gjithashtu ai porositi edhe aleatin e tij qeveritar, Kamenos se nuk ka alternativë tjetër për këtë çështje.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras në fjalimin e tij në Keshillin e Lartë të Partisë qeveritare Syriza, vetëm disa ditë para se parlamenti i Greqisë të votojë për ndryshimet kushtetuese që kërkon pakti për emrin, paralajmëroi Shkupin. “Nuk ka mundësi tjetër për të dy popujt përveç implementimit të marrëveshjes së Prespës”, u shpreh ai. “Marrëveshja e Prespës është një mundësi unike dhe e pazëvendësueshme për të dy popujt dhe për stabilitetin në Ballkan. Nëse fqinjët tanë nuk e aprovojnë atë, duhet të dinë dhe unë them me sinqeritet, se nuk ka alternativa të tjera”, tha Tsipras.
Në të njëjtën kohë, shefi i qeverisë greke i bëri të qartë edhe aleatit te tij qeveritar ,ministrit te Mbrojtjes, Panos Kamenos, se nuk ekziston ndonjë plan alternativ. Ky i fundit në vizitën e tij në SHBA kishte parashtruar një plan të dytë në rast se dështon miratimi i marrëveshjes së Prespës, që parashikon një marrëveshjeje ushtarake midis Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe madje Serbisë, me qëllim krijimin e një barriere që do të ndalë depërtimin rus në Ballkan.
“Nëse nuk ndryshojnë emrin e tyre kushtetues, dua të jem i qartë, edhe Greqia nuk do ta lejojë ketë. Nuk do të pranojë hyrjen e vendit fqinj në NATO, BE , ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare ose ne ndonjë formë bashkëpunimi ushtarak me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”, u shpreh Tsipras. Duke ju përgjigjur disa kritikave që përse e majta greke është kaq e lidhur me politikën e SHBA , Tsipras ka theksuar se Greqia kërkoi dhe arriti vendosjen e mardhënieve të respektit me fuqitë e mëdha, por nënvizoi se nuk kërkon mbrojtës. /abcnews.al