Trupat e Assad hyjnë në veri pas marrëveshjes me kurdët, Turqia avancon

schedule22:14 - 14 Tetor, 2019

schedule 22:14 - 14 Tetor, 2019

Trupat ushtarake siriane kanë depërtuar për herë të parë që nga fillimi i luftës në veri të vendit, falë marrëveshjes me kurdët. Trupat e presidentit Asad kanë arritur qytetin Manbixh, ku synon të hyjnë edhe trupat turke, duke rrezikuar një përplasje mes dy ushtrive.

Ushtria siriane ka filluar të arrijë veriun e vendit, disa orë pasi qeveria pranoi të ndihmonte forcat kurde në përballjen me ato turke. Kjo është hera e parë që trupat e presidentit Bashar al Asad, të mbështetura nga Rusia, futen në këto zona që prej vitit 2012.

Marrëveshja mes Damaskut zyrtar dhe kurdëve erdhi pasi Shtetet e Bashkuara, aleate të kurdëve, vendosën të tërheqin trupat e tyre nga Siria. Ndërkohë, ofensiva turke synon t’i shtyjë milicitë përtej rajonit kufitar.

Mediat shtetërore siriane njoftojnë se trupat ushtarake kanë hyrë në qytetin Manbixh, brenda vendit ku Turqia synon të krijojë një “zonë të sigurtë”, të pastruar nga luftëtarët kurdë për të kthyer refugjatët sirianë. Më herët, ushtria siriane hyri në qytetet Tal Tamer dhe Ain Isa, ku banorët pritën me festime ardhjen e tyre.

Depërtimi i njësive siriane erdhi pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper konfirmoi të dielën se rreth 1 mijë trupat e Shteteve të Bashkuara do të largoheshin nga Siria, me argumentin se mund të ndodheshin në përplasjen mes ushtrive turke dhe siriane.

Si ofensiva turke, ashtu edhe tërheqja amerikane janë kritikuar ndërkombëtarisht, pasi milicitë kurde ishin aleatë të rëndësishëm të koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik në Siri.

Tani vendet e Perëndimit druhen se anëtarët e rrjetit terrorist mund të ngrenë krye dhe të lirohen nga burgjet e kontrolluara nga kurdët për shkak të destabilitetit. Ditën e hënë presidenti turk Reçep Taip Erdoan deklaroi se Turqia nuk do të tërhiqet çfarëdo që të thonë ndërkombëtarët, duke shtuar se operacioni do të vazhdojë derisa të arrihet fitorja. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!