Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë me një vit emergjencën kombëtare që lidhet me Ballkanin Perëndimor, sipas një njoftimi të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në Regjistrin Federal më 24 qershor.
Sipas dokumentit, veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe situata aktuale në rajon, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Për këtë arsye, emergjenca kombëtare e shpallur për rajonin do të mbetet në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026. Kjo masë u vendos fillimisht më 26 qershor 2001 nga presidenti i atëhershëm George W. Bush, pas konflikteve që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara zgjeruan fushëveprimin e saj, duke argumentuar se korrupsioni, cenimi i marrëveshjeve të pasluftës dhe veprimet destabilizuese në vendet e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri vazhdonin të përbënin rrezik për stabilitetin rajonal.
Vendimi i fundit i administratës amerikane konsiderohet si një sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi të veçantë strategjike. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten ndër vendet më të ndjeshme për shkak të sfidave politike dhe të sigurisë me të cilat përballen.
Në raportin e publikuar në maj, Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për interesat e sigurisë dhe ekonomike të SHBA-së. Në të njëjtin dokument, Rusia dhe Kina përmenden si aktorë që përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, ndërsa theksohet angazhimi i Uashingtonit për të kundërshtuar ndikimin e tyre.
Sa i përket Kosovës, situata e sigurisë është vlerësuar përgjithësisht e qëndrueshme vitet e fundit, megjithëse vendi është përballur me tensione politike dhe krizë institucionale. Më 12 qershor, NATO njoftoi se gjatë vitit të ardhshëm do të bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një mjedis më të qëndrueshëm të sigurisë.
Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina vazhdon të përballet me tensione politike pas njoftimit për dorëheqjen e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Çështja ka rindezur debatet mbi rolin e zyrës që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Republika Sërpska ka kërkuar mbylljen e saj, një qëndrim që është kundërshtuar nga partitë politike në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, të cilat insistojnë që institucioni të vazhdojë të funksionojë me kompetenca të plota./abcnews.al



