Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump u bën thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të votojnë për publikimin e dosjeve “Epstein”

schedule07:19 - 17 Nëntor, 2025

schedule 07:19 - 17 Nëntor, 2025

Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që të votojnë për publikimin e dosjeve të lidhura me financierin pedofil Jeffrey Epstein, duke përmbysur kështu qëndrimin e tij të mëparshëm.

“Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e dosjeve të Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump të dielën mbrëma në platformën Truth Social.

Qëndrimi i ri i Trump vjen në një moment kur dhjetëra republikanë shprehën gatishmërinë për të votuar në favor të publikimit të dokumenteve. Dhoma pritet të votojë këtë javë për një projektligj që do ta detyronte Departamentin e Drejtësisë t’i bëjë publike dosjet.

Sipas vlerësimeve, nisma ka mbështetje të mjaftueshme për të kaluar në Dhomë, por ende nuk dihet nëse do të kalojë në Senat. Nëse miratohet nga të dyja dhomat, publikimi kërkon edhe firmën e presidentit.

Projektligji, i njohur si Akt i Transparencës për Dosjet Epstein, synon detyrimin e Departamentit të Drejtësisë të publikojë të gjitha materialet e paklasifikuara, dokumente, komunikime dhe materiale hetimore, që lidhen me Epstein. Ligji gëzon mbështetje nga demokratët dhe disa republikanë. Kongresmeni republikan Thomas Massie, bashkësponsor i nismës, deklaroi për ABC News se deri në 100 republikanë mund të votojnë pro.

Deklarata e Trump u publikua pak pasi ai kishte aterruar në bazën ajrore Joint Base Andrews, pas fundjavës në Florida. Departamenti i Drejtësisë ka dorëzuar tashmë dhjetëra mijëra faqe dokumentesh për Epstein dhe po shqyrton lidhjet e disa figurave demokratike, mes tyre Bill Clinton, Reid Hoffman dhe Larry Summers me financierin e ndjerë, shkroi Trump në Truth Social, duke theksuar se Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomë mund të ketë çfarëdo dokumenti që i takon ligjërisht.

“Nuk më intereson!”, shtoi ai, duke kërkuar që republikanët të “rikthehen në thelb të çështjes”.

Përmendja e Clinton nga Trump vjen pasi Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se do të hetojë lidhjet e supozuara të Epstein me banka të mëdha dhe disa demokratë të shquar, përfshirë ish-presidentin. Emrat e Hoffman, themeluesit të LinkedIn dhe donatori i njohur demokrat, si dhe Summers, ish-sekretarit të Thesarit, dolën në dokumentet e publikuara më herët.

Përfaqësues të Summers i thanë Wall Street Journal në vitin 2023 se ai “pendohet thellë” për kontaktet me Epstein pas dënimit të tij. Hoffman deklaroi në rrjetet sociale se “asnuk ka qenë klient i Epstein, as ka pasur ndonjë angazhim me të, përveç mbledhjes së fondeve për MIT”, dhe i bëri thirrje Trump të publikojë dosjet.

Trump gjithashtu tha se do t’i kërkojë Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe FBI-së të hetojnë “lidhjet dhe përfshirjen” e Epstein me Clinton dhe figura të tjera. Clinton ka mohuar kategorikisht të ketë pasur dijeni për krimet e Epstein.

Ndërkohë, javën e kaluar, demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes publikuan tre shkëmbime emailesh midis Epstein dhe bashkëpunëtores së tij prej vitesh, Ghislaine Maxwell, e cila vuan një dënim 20-vjeçar për trafikim seksual. Disa prej këtyre emaileve përmendin Trump. Në një prej tyre, të vitit 2011, Epstein i shkruan Maxwell: Dua ta kuptosh se qeni që s’ka lehur është Trump… [VIKTIMA] kaloi orë të tëra në shtëpinë time me të.

Menjëherë pas publikimit të emaileve, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan një paketë shumë më të madhe prej 20 mijë dokumentesh, duke akuzuar demokratët se po “përzgjidhnin me qëllim” materialet për të ndërtuar “një narrativë të rreme për të njollosur Presidentin Trump”.

Më pas, Dhoma njoftoi se javën e ardhshme do të mbahet votimi për publikimin e një seti edhe më të gjerë materialesh. Të dielën mbrëma, Trump përsëriti akuzat ndaj demokratëve, duke i cilësuar dosjet Epstein si një “mashtrim”. Komentet e tij pasuan deklaratën e Kryetarit të Dhomës, Mike Johnson, në Fox News, ku ai tha se votimi do të ndihmonte në sqarimin e pretendimeve për lidhje të Trump me Epstein. Ndërkohë, Trump dhe kongresmenja republikane Marjorie Taylor Greene, zakonisht një nga mbështetëset më të zjarrta të tij kanë hyrë në një konflikt publik për çështjen.

Të premten, Trump e quajti Greene “të çmendur” dhe kërkoi që ajo të humbasë zgjedhjet e ardhshme. Të shtunën, e quajti “tradhtare”. Greene u kundërpërgjigj duke vënë në pikëpyetje nëse Trump po vendos ende “Amerikën e Para” dhe kritikoi mënyrën si ai po trajton çështjen.

Ndërkohë, të mbijetuar të Epstein dhe familja e Virginia Giuffre, akuzuese e njohur, i kanë kërkuar Kongresit të votojë pro publikimit të dosjeve.

“Detyra juaj kryesore është ndaj qytetarëve tuaj”, thuhet në letër. “Mendoni për fëmijët, motrat, nënat dhe hallat tuaja. Imagjinoni sikur ata të ishin prekur. Nëse do të ishit vetë një i mbijetuar, çfarë do të dëshironit? Ne do ta mbajmë mend votën tuaj në kutinë e votimit.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!