Donald Trump ka thyer heshtjen e gjatë në lidhje me abortin. Pas polemikave të shumta të ngritura pas miratimit të ligjit kufizues në shtetin e Alabamës, presidenti amerikan ka deklaruar se e mbështet procesin vetëm në 3 raste.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur për herë të parë këndvështrimin e tij në lidhje me abortin, në një kohë kur ligjet e miratuara në disa shtete kanë shkaktuar polemika. Trump deklaroi se është kundër abortit, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për dhunim, incest apo kur shtatëzënia përbën rrezik për shëndetin e nënës. Qëndrimi i tij mbi atë që konsiderohet një çështje që ka përçarë elektoratin amerikan, vjen disa ditë pasi shteti i Alabamës miratoi ligjin që e ndalonte abortin në të gjitha rastet. Në tërësi Trump ka qëndruar në heshtje lidhur me ligjin në fjalë, deri të shtunën vonë, kur postoi një seri mesazhesh në Tëitter, duke shprehur qëndrimin e tij.
“Unë e mbështes fuqishëm jetën, me përjashtim të tre rasteve: dhunimit, incestit dhe mbrojtjes së jetës së nënës. Njësoj si Ronald Regan”, tha Trump në profilin e tij.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi se masat gjyqësore të ndërmarra prej tij kanë ndihmuar për t’i bërë ligjet e abortit në shtete të ndryshme më të kufizuara. Aborti është një çështje që mbetet e shumëdiskutuar në Shtetet e Bashkuara, me të krishterët evangjelistë që përbëjnë bërthamën e votuesve që duan kufizimet, ose për ta quajtur tërësisht procedurën e abortit ilegjitime.
“Ne duhet të bashkohemi dhe të fitojmë për jetën në vitin 2020”, shtoi Trump në Tëitter, duke i dhënë çështjes karakter elektoral. /ABC News Albania 24/7