Trump tërheq SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Rusinë

schedule11:18 - 21 Tetor, 2018

schedule 11:18 - 21 Tetor, 2018

Presidenti Donald Trump ka vendosur të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore me Rusinë. Ai thotë se kjo duhej të kishte ndodhur që në administratën Obama pasi pakti që nuk lejon prodhimin dhe lëshimin e raketave balistike me rreze të mesme është shkelur nga Moska.

SHBA do të tërhiqet nga një traktat i rëndësishëm armësh bërthamore me Rusinë. Kjo është konfirmuar nga Presidenti Donald Trump. Duke folur për gazetarët, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Rusia kishte “shkelur” traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme të vitit 1987. Marrëveshja ndalon lëshimin e raketave me rreze të mesme nga toka, me një distancë prej 500 deri në 5,500 km. SHBA nuk do të lejojë që Rusia të “prodhojë armë, ndërsa ne nuk na lejohet”, u shpreh Trump. “Nuk e di pse presidenti Barak Obama nuk negocioi ose nuk u tërhoq”, tha presidenti amerikan pas një takimi elektoral në Nevada. “Ata e kanë shkelur atë për shumë vite”, shtoi ai.

Në vitin 2014, Presidenti Obama akuzoi Rusinë për shkelje të marrëveshjes bërthamore pasi Kremlini testoi një raketë të nisur nga toka. Ai vendosi të mos tërhiqej nga traktati nën presionin e udhëheqësve europianë, të cilët thanë se një veprim i tillë mund të rifillonte një garë armësh. Një burim i ministrisë së jashtme ruse thotë për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, se lëvizja e SHBA-ve është motivuar nga një “ëndërr e një bote unipolare” ku ajo është e vetmja superfuqi globale. Uashingtoni këmbëngul se rusët, në shkelje të marrëveshjes, zhvilluan një raketë të re me rreze të mesme, të quajtur Novator 9M729 – i njohur për NATO-n si SSC-8.

Kjo do t’i mundësonte Rusisë zhvillimin e një sulmi bërthamor në vendet e NATO-s në një kohë shumë të shkurtër. Rusia ka thënë pak për raketën e saj të re, përveçse të mohojë se ajo është në shkelje të marrëveshjes. Analistët thonë se Kremlini i sheh armë të tilla si një alternativë më të lirë ndaj forcave konvencionale. /abcnews.al