Donald Trump ka deklaruar se brenda verës mund të zhvillojë takimin me presidentin rus Putin. Trump ka fajësuar ish-presidentin Obama për prishjen e marrëdhënieve mes Amerikës dhe Rusisë, ndërsa ka shprehur simpati për stilin e Kim Jong Un.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se takimi mes tij dhe homologut Vladimir Putin mund të mbahet këtë verë. Në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka fajësuar parardhësin e tij Barack Obama për aneksimin që Rusia i bëri gadishullit të Krimesë. “Putin nuk kishte respekt për Obamën dhe Obama e humbi Krimenë”, ka thënë Trump. Ai është shprehur se është më mirë që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë me Rusinë sesa të ndërpresin për fare lidhjet me të.
Presidenti amerikan ka përsëritur gjithashtu thirrjen që Rusia të pranohet sërish në grupimin G7, që ishte G8 para se Moska të dëbohej pikërisht për shkak të ndërhyrjes në lindje të Ukrainës. Deklarata e Trump për takimin vjen pas asaj të bërë më 10 qershor nga lideri rus, i cili u shpreh i gatshëm të takohej me Trump kudo dhe kurdo që Shtetet e Bashkuara do të donin.
Por ajo për takimin me kreun e Kremlinit nuk ka qenë e vetmja deklaratë kontradiktore e shefit të Shtëpisë së Bardhë, i cili ka shprehur njëfarë simpatie për qeverisjen e liderit koreano-verior, Kim Jong Un.
“Ai është një kryetar shteti dhe kur flet të gjithë ulen dhe e dëgjojnë me vëmendje. Dua që populli im të bëjë të njëjtën gjë me mua”, ka thënë Trump./abcnews.al