Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj grupit hetimor për ndërhyrjen ruse, duke i cilësuar një bandë rrugeçërish të ndikuar nga demokratët. Për analistët, shpërthimi i radhës i Trump është tregues i frikës nga një stuhi skandali që mund të përplaset ndaj administratës së tij.
Presidenti Donald Trump ka sulmuar sërish Robert Myler dhe ekipin e tij që po hetojnë mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s, duke e quajtur procesin hetimor “një rrëmujë totale”. Të enjten, në profilin e tij në Twitter, Trump akuzoi hetuesit se po kërcënojnë dhe shantazhojnë njerëzit në mënyrë që ata të japin përgjigjet e dëshiruara prej tyre. “Ata po u klithin dhe po u bërtasin njerëzve. Kjo është çmenduri”, u shpreh Trump. Presidenti përsëriti se nuk ka patur kurrë lidhje me rusët dhe i rivendosi hetimit etiketimin e tij të preferuar, “gjueti shtrigash”. Më parë shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar se hetimi i udhëhequr nga Robert Myler, ish-drejtues i vlerësuar i FBI-së dhe republikan, ishte i padrejtë dhe i ndikuar nga ata që i quante “demokratë të thekur”.
Ndërsa në postimet e fundit, ai e përshkoi zotin Myler si një njeri konfliktual, ndërsa ekipin e tij një turp për kombin amerikan. “Myler dhe banda e tij e përbërë nga disa rrugeçër demokratë po i shkatërrojnë njerëzit”, tha Trump. Gjithashtu ai fajësoi rrjetet sociale dhe gjigandët e teknologjisë se kanë mbuluar në mënyrë të njëanshme rastin “Russiagate” për të dëmtuar atë dhe administratën e tij. “Shikoni pak se si publikisht Facebook, Google dhe Twitter janë shprehur në favor të demokratëve”, shkroi presidenti. Ndërsa mbetet e paqartë se çfarë fshihet pas mesazheve të Trump, për analistin e BBC, Enthoni Zurker, postimet janë tregues i frikës së presidentit nga një stuhi skandali që mund të përplaset ndaj administatës së tij./abcnews.al