Nisur nga konstatimet që binin ndesh me axhendën e politikës së tij të jashtme, presidenti Donald Trump i ka quajtur krerët e agjencive amerikane të inteligjencës një tufë drejtorësh naivë, që kanë nevojë të kthehen në shkollë për të mësuar rreziqet që i kanosen Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Donald Trump i ka quajtur “naivë” shefat e agjencive amerikane të inteligjencës dhe u ka bërë thirrje atyre që të kthehen në bankat e shkollës. Reagimi i kreut të shtetit ka ardhur pasi një raport i inteligjencës kombëtare sugjeronte se Irani nuk po prodhon armë bërthamore dhe se Korea e Veriut nuk ka ndërmend të heqë dorë nga arsenali i saj i armatimeve.
“Nga Irani duhet patur kujdes, por ndoshta krerët e inteligjencës duhet të kthehen në shkollë”, ka thënë Trump në një postim në Twitter.
Në këndvështrimin e Trump, krerët e institucioneve të inteligjencës duken jashtëzakonisht pasivë kur bëhet fjalë për Iranin.
“E kanë gabim. Irani prej kohësh po hap telashe në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, por ka qenë më ndryshe që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja e tmerrshme bërthamore”, ka vijuar Trump.
Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, Teherani mbetet një burim potencial rreziku dhe konfliktesh, nisur nga të dhënat e fundit për teste të raketave të reja. Shefi i Inteligjencës Kombëtare, Den Kots prezantoi të martën në Senatin amerikan raportin për kërcënimet që i kanosen Shteteve të Bashkuara, i hartuar në bashkëpunim me agjencitë e tjera të shërbimeve sekrete. Raporti binte ndesh edhe sa i takon pretendimeve të Trump për Korenë e Veriut dhe nënvizonte se kërcënimet kibernetike nga Kina dhe Rusia përbënin shqetësimin kryesor për Shtetet e Bashkuara, pasi të dyja vendet mund të përpiqen të influencojnë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020./abcnews.al