Trump publikon paketën e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

schedule18:01 - 23 Shkurt, 2018

schedule 18:01 - 23 Shkurt, 2018

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar paketën e re të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, që këtë herë do të vënë në shënjestër kompanitë ndërkombëtare që ndihmojnë regjimin e Penianit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar këtë të premte nisjen e zbatimit të paketës së re të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, që është sipas tij më e madhja në histori.

“Sot ju njoftoj se po aktivizojmë paketën më të madhe të sanksioneve të reja ndaj regjimit koreano-verior, për shkak të programit bërthamor të tij”, ka deklaruar Trump.

Vendi i izoluar aziatik është i penalizuar nga një sërë masash ndërkombëtare dhe amerikane. Këtë herë sanksionet pritet të godasin 56 kompani aktive në transportin detar, të cilat, sipas administratës amerikane, ndihmojnë Penianin.

“Departamenti i Thesarit do të ndërmarrë së shpejti një sërë veprimesh për të reduktuar edhe më tej burimet e të ardhurave që regjimi përdor për të financuar programin bërthamor dhe për të fuqizuar ushtrinë e tij. Konkretisht do të penalizohen 56 kompani lundrimi dhe ato biznese që ndihmojnë vendin për t’i shpëtuar sanksioneve”, ka deklaruar Trump.

Ende nuk dihen emrat e kompanive në fjalë, apo nga cili vend janë ato. Shtetet e Bashkuara aplikojnë sanksione ndaj Penianit që prej vitit 2008 dhe këto të fundit u shtohen atyre të vendosura në nëntor, që vunë në shënjestër mes të tjerash edhe kompanitë që bëjnë tregti me vendin e izoluar.

Njoftimi i Trump vjen në një moment kur Korea e Veriut po kryen atë që nga Perëndimi shihet si një sfidë e moderuar në Lojrat Olimpike Dimërore në Jugun fqinj. Liderët amerikanë janë të prirur të theksojnë se Korea e Veriut ende përbën një kërcënim bërthamor, pavarësisht se po përpiqet të shkrijë akujt me Seulin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!