Trump përplaset me kreun e Gjykatës së Lartë

schedule08:52 - 23 Nëntor, 2018

schedule 08:52 - 23 Nëntor, 2018

Presidenti Trump dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts kanë shkëmbyer replika në një përplasje publike të pazakontë lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në Shtetet e Bashkuara. Gjykatësi Robert iu kundërvu hapur kritikave të Presidentit Trump ndaj një gjykatësi federal, qe kishte bllokuar rregulloret e administratës për politikat mbi azilantët.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar vendimin e Donald Trump në lidhje me kërkesat për azil të emigrantëve ka bërë që presidenti të shpërthejë në akuza ndaj gjyqësorit. Por ndryshe nga më parë, kryetari i instancës më të lartë gjyqësore, Xhon Roberts nuk ka qëndruar indiferent ndaj akuzave të kreut të shtetit, që i cilësonte gjyqtarët shërbyes të ish-presidentit Barak Obama. “Ne nuk kemi këtu gjykatës të Obamës, të Trump, të Bush dhe apo të Klinton”, ka thënë Roberts në një deklaratë me shkrim të shpërndarë nga zyra e tij. Reagimi i tij është i pari ndaj presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara dhe kritikave të tij të ashpra në adresë të drejtësisë. “Ajo që kemi këtu është një grup gjyqtarësh të jashtëzakonshëm, që me profesionalizëm punojnë për t’u garantuar të drejta të barabarta të gjithë atyre që u dalin përpara. Prandaj, duhet t’u jemi atyre mirënjohës”, ka vijuar Roberts.

Qëndrimi i Trump është kritikuar edhe nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët kanë vlerësuar se sulmi ndaj gjyqtarëve është sulm ndaj sundimit të ligjit në Amerikë. Por shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk është ndalur dhe përmes një postimi në Twitter ka reaguar sërish. “Më vjen keq zoti Roberts, por ndryshe nga sa thoni ju keni me të vërtetë gjyqtarët e Obamës, të cilët kanë një këndvështrim tjetër nga ai i njerëzve që kanë për detyrë garantimin e sigurisë së vendit tonë”, ka thënë Trump. Sidoqoftë, mediat amerikane vlerësojnë se është anormale për një kryetar gjykate të reagojë ndaj deklaratave të një presidenti. Kjo, pasi Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e konsideron gjyqësorin federal degë të barabartë të qeverisë me pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ, si pjesë të sistemit të kontrollit dhe balancave të pushtetit./abcnews.al